Partia Demokratike e Kosovës është shprehur kundër ligjëratës së mbajtur në një shkollë në Prishtinë mbi Gjykatën Speciale, një javë pasi u mbajt e bëri bujë në Kosovë.
Kandidati për deputet i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se incizimet e publikuara në media “dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike”.
Ai ka thënë se para nxënësve janë paraqitur pretendime të njëanshme, si ajo se ish-krerët e UÇK-së janë etiketuar si kryes të krimeve.
“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda.
Gruda ka pretenduar se lufta çlirimtare e Kosovës po tentohet të dëmtohet në banka shkollore.
“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.
Sipas PDK-së, siç ka theksuar Gruda, nga ligjërata të tilla ekziston rreziku i indoktrinimit të nxënësve, për përpjekje për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.
Në një deklaratë publike, Gjykata Speciale ka dhënë një sqarim për ligjëratën e bujshme në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë më 22 janar. Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), mbajti një aktivitet që sipas organizatës kishte qëllim informimin e qytetarëve për Gjykatën Speciale. Specialja ka thënë se që prej vitit 2018 organizohen aktivitete të tilla komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në Kosovë.
Sipas njoftimit, informacionet që jepen në këto aktivitete janë të njëjta me ato që gjenden online. Aty thuhet po ashtu se prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet në aktivitete.