Numri i rasteve të parashtruara në gjykatë tre vitet e fundit është rritur. Kështu ka thënë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus” në KTV.
“Viti 2023, është viti me numrin me të madh të kërkesave institucionale të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë në kontekst të numrit më të madh të ligjeve të kontestuara në Gjykatë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, natyra e çështjeve me të cilat është ballafaquar Gjykata Kushtetuese kohëve të fundit, tregon një lloj trendi të drejtësisë kushtetuese, por gjithashtu reflekton edhe dinamikat e ndërveprimit mes pushteteve.
Ajo tha se çështjet e dërguara në Kushtetuese mund t’i kategorizojë në katër grupe.
“Të parat, ndërlidhen kryesisht me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe Agjencive të pavarura. Në këtë kategori çështjesh, kryesisht janë kontestuar akte mbi bazën e të cilave janë shkarkuar anëtarë të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe agjencive të pavarura”, ka cekur ajo.
Edhe
Në 17-vjetorin e Kushtetutës, rriten kërkesat për interpretim të ligjeve
Tutje, kategoria e dytë e çështjeve sipas Caka-Nimanit, ka të bëjë me dinamikën mes pushtetit qendror dhe pushtetit lokal, përkatësisht konflikti i kompetencave ku tha se së fundi kanë trajtuar Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.
Ndërsa, në kategorinë e tretë, sipas saj hyn grupi më i madh i çështjeve në gjykatë e që janë ligjet e kontestuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat i nënshtrohen efektit suspensiv.
Ajo tha se kryesisht janë ligjet që ndërlidhën me reformën në drejtësi, reformën e administratës shtetërore, por edhe ato që ndërlidhen me ekonominë e tregut kohëve të fundit.
Kategoria e katërt, ajo tha që lidhet me kontrollin incidental, përkatësisht e drejta e gjykatave të rregullta që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, atëherë kur kanë dyshime mbi kushtetutshmërinë e normës të cilën e kanë në zbatim.
“Janë nxjerrë vendime të rëndësishme të gjykatës, përfshirë vendimi që ndërlidhet me skemat pensionale të financuara nga shteti, por edhe rolin e Inspektoratit të Punës, përkatësisht pushtetit ekzekutiv në zgjidhjen e kontesteve që burojnë gjatë punës”, ka thënë ndër tjera ajo.
Ndër të tjera, Caka-Nimani theksoi që kanë vendosur parime në lirinë dhe të drejtën e medias, përfshirë transmetuesin publik.
Caka-Nimani flet për vonesat në vendime: Afatet vendimmarrëse mesatare në Kushtetuese janë rreth 8 muaj
Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se që në fillet e saj, Gjykata që ajo drejton ka marrë qëndrimin që afatet vendimmarrëse rrjedhin nga momenti kur dosja përkatëse e çështjes që ka Gjykata është e kompletuar, ndërsa theksoi se afatet vendimmarrëse në kuadër të kësaj Gjykate aktualisht janë rreth 8 muaj.
Edhe
IKD: Rreth 113 mijë lëndë të pazgjidhura, po shkelet e drejta për gjykim në kohë
“Dhe këtij qëndrimi Gjykata i ka qëndruar konsistente gjatë viteve. Afatet vendimmarrëse mesatare në kuadër të Gjykatës Kushtetuese aktualisht janë rreth 8 muaj. Kjo statistikë, e vendos Gjykatën Kushtetuese me shpejtësinë mesatare të vendimmarrjes më të mirën të paktën në rajon, ku afatet vendimmarrëse për çështje të tilla sillen deri në 10 muaj në rastin më të mirë deri në 40 muaj për të marrë vendimin e caktuar”, tha ajo.
Duke folur për çështjen e vonesës në disa vendime, ajo tha se kjo sqarohet duke u bazuar në tri arguemente.
“E para, natyrën e afateve vendimmarrëse për Gjykatën Kushtetuese siç janë të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. E dyta, shpejtësinë, përkatësisht mesataren e afatit vendimmarrës në Gjykatën Kushtetuese dhe së treti, detyrimin për balancimin e efikasitetit dhe cilësisë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha Caka-Nimani.
Neni 43.3 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese specifikon se në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, par .3 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se 60 ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Për këtë, Caka-Nimani tha se kjo vlen për kontrollin preventiv të kushtetutshmërisë së ligjeve sepse jo të gjitha kategoritë e rasteve kanë afate në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
“Megjithatë, çdo dispozitë e Ligjit duhet të lexohet në harmoni edhe me dispozitat tjera dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese ka edhe afate tjera në kontekst të trajtimit të një çështjeje në kuadër të procedurave brenda gjykatës dhe të njëjtat kumulativisht tejkalojnë afatin 60 ditor të cilit ju i referoheni”, tha Caka-Nimani.
Ajo tha se kjo ka të bëjë me të drejtën e palës për të plotësuar kërkesën, për afatin që ndërlidhet me palët e interesuara apo palët kundërshtare dhe dorëzimit të kundërshtimeve të tyre në Gjykatën Kushtetuese, ato që ndërlidhen me përgatitjen e raportit paraprak të gjyqtarit, shqyrtimit në kolegj shqyrtues, shqyrtimi në përbërje të plotë dhe përfshirë edhe afatet që ndërlidhen me përgatitjen e vendimit përkatës për publikim.
E njëjta përmendi se GJEDNJ-së i duhen 3 vite mesatarisht për të marrë një vendim, kurse GJDBE-së 16 muaj për të marrë një vendim, në bazë të raporteve të tyre statistikore.
Edhe
Gresa Caka-Nimani rizgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese
“Kjo nuk do të thotë se Gjykata Kushtetuese e trajton secilin rast me shpejtësinë dhe seriozitetin e duhur. Kjo vlen veçanërisht për ligjet që kontestohen në Gjykatën Kushtetuese përmes deputetëve të Kuvendit sepse i nënshtrohen kontrollit suspensiv. Por, në kontekst të ndërtimit të drejtësisë kushtetuese dhe trajtimit të çështjeve shumë serioze që kemi në numër të shtuar vitet e fundit, Gjykata duhet të gjejë balancin e duhur mes shpejtësisë dhe kualitetit, dhe ky i fundit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për praktikën gjyqësore”, tha Caka-Nimani.
Caka-Nimani shtoi se Kushtetuesja e bën më të mirën e saj çdo ditë, ndërsa theksoi se kritika për vonesën në vendimmarrje është e kuptueshme, por duhet të merret parasysh që afati 60 ditor duhet të interpretohet në kontekst të ligjit në tërësinë e tij dhe duhet të merret parasysh që shpejtësia dhe efikasiteti i vendimmarrjes nuk mund të dëmtojë asnjëherë saktësinë e nevojshme për vendimin e gjykatës.