Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Bajrami: Vendi është në një krizë të thellë ekonomike

Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë se vendi është në një krizë të thellë ekonomike.

Të martën në emisionin “Tempus” të KTV-së, Bajrami tha se viti 2022 filloi me ngritjen e energjisë elektrike, më pas u pasua me invazionin Rusi-Ukrainë, luftë e cila u përcjell me inflacionin, që në Kosovë ka qenë ndër më të lartit në krahasim me rajonin.

“Qeveria gjatë tërë kësaj kohe ka luajtur rolin e spektatorit. Ka pasur propozime nga ne si Lidhje Demokratike, për secilën fazë të krizës kemi dhënë propozimet tona por fatkeqësisht ato propozime nuk janë marrë parasysh, disa prej tyre kanë qenë edhe premtime të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës kur ajo garonte. Për shembull, ka qenë heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet bazë të shportës së konsumatorit. Janë shpërndarë miliona, dua të them se janë shpërndarë rreth 250 milionë, masa që nuk kanë pasur kurrfarë efekti, janë shpërndarë mjete pa kurrfarë kriteri, duke mos i kategorizuar qytetarët, duke shpërnda mjete gjithandej, nga 100 euro që ndoshta i kanë ndihmuar qytetarët të furnizohen me produkte ushqimore për rreth një javë dhe asgjë tjetër”, tha Bajrami.

Ajo tha se ka pasur masa që kanë qenë diskriminuese, duke mos i targetuar, pasi ka pasur familje që nuk kanë përfituar fare nga masat.

“Kështu që ne kemi parë që shporta bazë e konsumatorit është ngritur, kemi parë çmime që janë ngritur mbi 50 për qind, kemi parë lëvizje dhe fluktuim të vajit ushqimor. Në fakt nëse marrim shportën bazë të konsumatorit sot kushton rreth 50 për qind më shumë sesa ka kushtuar në fillim të këtij viti apo në vitin e kaluar. Nuk ka pasur lëvizje të pagave në sektorin publik, ndërsa në sektorin privat ka pasur aty-këtu. Konsideroj që kjo ka qenë një krizë e thellë, domethënë vendi është në një krizë të thellë. Fatkeqësisht kriza fillimisht i prekë të varfrit dhe ata që janë në skaje të varfërisë, më vonë i prek të mesmit dhe në fund të pasurit”, tha Bajrami.