Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se Komuna e Prishtinës vitin e kaluar iu ka mbetur borxh për 3 muaj e 20 ditë punëtorëve teknikë.
Këtë deklarim, Azemi e bëri në emisionin “Tempus” në KTV, teksa foli për grevën e punëtorëve teknikë dhe tha se greva nuk erdhi brenda natës.
“Është një risi që dua ta them sot se Komuna e Prishtinës këtyre punëtorëve me pagë 220 euro dhe 250 euro, vitin e kaluar u ka mbet borxh me 3 muaj e 20 ditë”, theksoi Azemi, duke shtuar se këtë informacion ia ka dhënë një punëtore e një shkolle, e cila sipas tij, e ka lënë punën pasi vuan nga sëmundja e kancerit.
Ai deklaroi se është e rëndë që Komuna e Prishtinës, të cilës i ka tepruar buxheti vitin e kaluar, t’ua vonojë pagat punëtorëve teknikë.
“Kjo të bën me dije që këta njerëz më së pari nuk kanë ndjenja njerëzore dhe unë sot e thash dhe prapë po e them, dikujt brenda Komunës së Prishtinës por vlen edhe për nivel qendror, sa ma keq për këta është ma mirë”, shtoi Azemi.
Ai tha se në rast se nuk iu plotësohen kërkesat, punëtorët do ta lënë punën, ndërsa theksoi se është pafytyrësi që këta punëtorë nuk janë trajtuar si duhet.
“Punëtorët e sektorit privat nuk janë ata që kanë qenë para një viti, nuk mund të ndahen nga vendet e tyre të punës aq lehtë, por gjithçka e ka përfundimin e vet, nëse del në fund të kësaj jave që nuk barazohen me punëtorë që paguhen nga Komuna e Prishtinës, sepse në të njëjtin vend punojnë punëtorët që paguhen nga Komuna e Prishtinës dhe në të njëjtin vend punojnë punëtorë që përmes kompanisë private punojnë në të njëjtin vend. Ai punëtor që paguhet nga Komuna e Prishtinës merr 390 euro neto, kurse këta punëtorë po themi që janë të barabartë në punë, marrin 230 euro, edhe ata pa stazhin e punës, pa ndonjë mbrojtje të arsyeshme ligjore, pa pushim vjetor sa i shkruan ligji, pa pushim mjekësor”, theksoi Azemi.