Basri Kastrati, zëvendës i Avokatit të Popullit, ka thënë se ky institucion ka hapur rast ex-officio për dy rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, ai ka kritikuar institucionet qeveritare të cilat sipas tij, thonë se aspekti ligjor është i mbuluar mirë, por ka ngecje kur bëhet fjalë për llogaridhënie dhe përgjegjësi për zbatimin e tyre.
“Edhe përkundër asaj që Kosova ka bërë përparim në aspektin e avancimit të infrastrukturës ligjore, megjithatë zbatimi në praktikë sikur po ngelë dhe kjo në të gjitha debatet edhe nëse shihet nga institucionet qeveritare thuhet se aspekti ligjor është i mbuluar mirë, por kur vjen në pyetje llogaridhënia dhe përgjegjësia për zbatimin e tyre, sikur kemi ngecje dhe kjo më së miri e dokumenton në rastet e fundit të dy rastet e vrasjeve me të cilat vërtet opinioni është shokuar si pasojë e dhunës në familje që kanë pësuar dy viktima. Në këtë rast, Avokati i Popullit ka hapur rast ex-officio dhe është në fazën e mbledhjes së informatave shtesë për të parë se cila prej hallkave të institucioneve ka çaluar në këtë drejtim, për të garantuar të drejtën elementare, siç është e drejta për jetë”, tha Kastrati.