Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Zyrtarja e sigurisë kibernetike e SHBA-së në Evropë paralajmëron sulme kibernetike ruse

Rusia mund të përdorë sulme kibernetike si pjesë e përpjekjeve të saj për të destabilizuar dhe pushtuar Ukrainën, tha të mërkurën një zyrtare e sigurisë kibernetike e Shtëpisë së Bardhë, gjatë vizitës së saj te homologët evropianë.

Anne Neuberger, zëvendës këshilltare e sigurisë kombëtare e SHBA-së për kibernetikën dhe teknologjinë në zhvillim, po takonte zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Bruksel për të diskutuar kërcënimin e sulmeve kibernetike kundër Ukrainës nga Rusia.

"Ne kemi paralajmëruar për javë dhe muaj, publikisht dhe privatisht për sulme të mundshme”, tha Neuberger në një konferencë virtuale për shtyp. “Rusët kanë përdorur kibernetikën si një komponent kyç të projeksionit të forcës së tyre gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë Ukrainën”, tha Neuberger, raporton Reuters.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke nxitur frikën e luftës. Megjithëse Rusia mohon se po planifikon një pushtim, ajo po kërkon garanci gjithëpërfshirëse sigurie, duke përfshirë një zotim të NATO-s për të mos pranuar Ukrainën anëtare të saj.