Tech

Perëndimi paralajmëron sulme kibernetike ruse ndaj infrastrukturës së ndjeshme

Qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar një kërcënim të mundshëm nga sulmet kibernetike nga Rusia kundër infrastrukturës së ndjeshme, si përgjigje ndaj sanksioneve për pushtimin e Ukrainës.

Agjencitë e sigurisë kibernetike të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re, të cilat bashkë e formojnë aleancën e shkëmbimit të inteligjencës “Five Eyes”, kanë thënë se lufta mund t'i ekspozojë organizatat kudo ndaj sulmit kibernetik.

"Ky aktivitet mund të ndodhë si përgjigje ndaj kostove ekonomike të imponuara ndaj Rusisë, si dhe mbështetjes materiale të ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e SHBA-së ndaj Ukrainës”, ka thënë Agjencia e SHBA-së për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA), raportoi Reuters të mërkurën.

Gjatë muajit mars, CISA ka deklaruar se kishte shenja se Rusia po shqyrtonte opsione për sulme kibernetike.

Javën e kaluar, kjo agjenci ka thënë se hakerët e avancuar kanë treguar se mund të marrin kontrollin e një sërë pajisjesh që ndihmojnë në funksionimin e stacioneve të energjisë dhe fabrikave prodhuese.