Tech

Shqipëria dhe Kosova pjesë e 160 vendeve të botës në garën e robotikës në Uashington

Këto ditë në kryeqytetin amerikan u zhvillua sfida robotike globale me pjesëmarrjen e ekipeve të shkollave të mesme nga mbi 160 vende të botës. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ekipet e Shqipërisë dhe Kosovës të cilët treguan aftësitë e tyre të programimit.

Aktiviteti tre ditor që u mbyll mbrëmë synonte bashkëpunimin mes ekipeve konkurruese për të zgjidhur sfida teknike.

Ekipe nga rreth 160 shtete dhe gjashtë kontinente morën pjesë në garat tre ditore robotike me qëllim nxjerrjen në pah të aftësive të tyre dhe nxitur pasionin për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Detyra e ekipeve ishte që të programojnë robotët që të ndajnë topat blu nga topat portokalli dhe t’i dërgojnë ato në një pjesë të arenës së ndeshjes. Gara ka formën e një olimpiade robotike, thotë themeluesi i shoqatës “FIRST Global” Dean Kamen:

“Sportet në lojërat olimpike nuk u japin fëmijëve aftësitë, vizionin, guximin dhe ekspertizën teknike për të zgjidhur problemet botërore”, thotë Kamen, raporton VOA.

Përveç përvetësimit të aftësive për zgjidhjen e problemeve, ekipet mësojnë si të bashkëpunojnë për arritjen e rezultateve. Çdo ndeshje vë përballë dy grupe të përbëra nga tre ekipe secila.

Në këto pamje, grupi ku merr pjesë edhe ekipi i Shqipërisë duket se po fiton garën, ndërsa roboti arrin mbi urën e improvizuar të arenës. Donaldo Biba është nga shkolla Sami Frashëri në Tiranë.

“Skuadra jonë ka punuar në ndërtimin e robotit që nga janari. Roboti duhet të ketë dy funksione, të mbledhë topat dhe pas përfundimit të punës të vetparkohet në një shufër të arenës”, shprehet ai.

Instruktori, Besnik Zylka thotë se, kjo garë do të shërbejë si nxitje për nxënësit shqiptarë për të përqafuar teknologjinë dhe shkencën.

“Fillimisht kemi pasur rreth 15 studentë nga shkolla të ndryshme. Gjatë procesit kemi pasur testime dhe aktivitete të ndryshme për të seleksionuar dhe për të dalë me ekipin që kemi sot”, ka thënë Zylka.

Edhe pse nuk fituan shumicën e ndeshjeve, ekipit të Kosovës nuk i mungoi entuziasmi. 16 vjeçarja Elita Hajrizi është nga shkolla “Xhevdet Hoxha” në Kosovë.

“Ka qenë një eksperiencë e mahnitshme. Përveçse kemi mësuar shumë rreth robotikës, jemi takuar edhe me shumë pjesëmarrës për të mësuar rreth kulturave të ndryshme të botës”, shprehet Hajrizi.

Instruktori i ekipit nga Kosova, Edmond Hajrizi, thotë se mesazhi nga takimi është mjaft i qartë.

"Të rinjtë e Kosovës janë gati dhe duhet të jenë gati për sfidat e radhës që lidhen me teknologjinë, inxhinierinë dhe sfidat globale në përgjithësi”, ka thënë ai.

Organizatorët e konkurrimit thonë se duke mbledhur së bashku këta udhëheqës të ardhshëm të shkencës dhe teknologjisë, kjo mund t’i frymëzojë këta të rinj të përfitojnë aftësi të nevojshme për të bërë zbulime, që dikur konsideroheshin mrekulli, gjëra të pamundura ose thjeshtë trillime shkencore.