Shkencëtarët në Australi do të testojnë panele diellore të printuara për të fuqizuar një veturë Tesla për një udhëtim prej 15.100 km, që do të nisë në shtator, shkruan Reuters të enjten.
Ata shpresojnë se kjo do ta shtyjë publikun të mendojë për hapat për të ndihmuar në shmangien e ndryshimeve klimatike.
Projekti “Charge Around Australia” do ta fuqizojë një veturë elektrike Tesla me 18 panele diellore plastike të stampuara, duke i vendosur ato mbi automjet për të thithur rrezet e diellit kur ajo ka nevojë për mbushje me energji elektrike.
Paul Dastoor, shpikësi i paneleve diellore tha se ekipi i Universitetit të Newcastlet do të testojë jo vetëm qëndrueshmërinë e paneleve, por performancën e tyre të mundshme për aplikime të tjera.
"Ky është në fakt një shtrat ideal testimi për të na dhënë informacion se si do të përdornim dhe fuqizojmë teknologjinë në vende të tjera të largëta, për shembull, në hapësirë”, tha Dastoor për Reuters.
Paneli diellor i printuar është një plastikë e lehtë, e laminuar që mund të bëhet me një kosto prej më pak se 10 dollarë për metër katror. Panelet janë bërë në një printer komercial të përdorur fillimisht për printimin e etiketave të verërave.
Dastoor tha se përdorimi i paneleve për të fuqizuar një makinë do t'i bënte australianët të mendonin më shumë për automjetet elektrike dhe mund të ndihmonte në lehtësimin e "ankthit të tyre në distancë".
"Komuniteti po kërkon këto lloj përgjigjesh për problemet me të cilat po ballafaqohet, çdo ditë, rreth ndryshimeve klimatike", tha ai.
Në udhëtimin e tyre 84-ditor me Tesla, ekipi planifikon të vizitojë rreth 70 shkolla për t'u dhënë nxënësve një shije të asaj që mund të sjellë e ardhmja.
I pyetur se çfarë mund të thoshte Elon Musk, krijuesi dhe themeluesi i Teslas, për projektin, Dastoor tha se shpreson se do të jetë i kënaqur.