Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një padi historike kundër Apple, duke e akuzuar gjigantin e teknologjisë për monopolizimin e tregut të telefonëve të mençur, dhe shtypjen e konkurrencës.
Në padi, departamenti i Drejtësisë pretendon se kompania përdori fuqinë e saj për të kufizuar konkurrentët, si dhe opsionet në dispozicion të konsumatorëve, raportoi BBC.
Apple është zotuar se do ta luftojë “fuqishëm” padinë dhe i mohon pretendimet.
Është hera e tretë që kompania paditet nga departamenti i drejtësisë që nga viti 2009.
Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka thënë se kompania “minon aplikacionet, produktet dhe shërbime që do t’i bënte përdoruesit më pak të varur nga iPhone, do të nxiste ndërveprueshmërinë dhe kostot më të ulëta për konsumatorët dhe zhvilluesit".
Ankesa liston një sërë hapash "anti-konkurruese" të ndërmarra nga kompania, duke përfshirë bllokimin e aplikacioneve me funksionalitet të gjerë, shtypjen e shërbimeve celulare të transmetimit të cloud, kufizimin e kuletave dixhitale të palëve të treta dhe "zvogëlimin e funksionalitetit" të orëve inteligjente që nuk janë prodhuar nga kompania.
Një zëdhënës i Apple, Fred Sainz, ka thënë për mediat amerikane se padia është "e gabuar" dhe se Apple do të "mbrohet fuqishëm kundër saj".
“Padia kërcënon se kush jemi ne dhe parimet që i veçojnë produktet Apple në tregje me konkurrencë të ashpër. Nëse do të jetë e suksesshme, do të pengojë aftësinë tonë për të krijuar llojin e teknologjisë që njerëzit presin nga Apple”, ka thënë Sainz.