Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Samsungu paralajmëron laptopët Notebook 13 dhe 15-inçësh

Kompania koreane Samsung ka paralajmëruar së fundi disa laptopë të rinj, që janë pjesë e serisë Notebook, ndërsa vijnë si alternativë për laptopët Apple MacBook Pro, shkruan Ubergizmo.

Laptopët e Samsung, sipas mendimit të shumë njohësve, kanë dizajn goxha të ngjashëm me modelet MacBook pro, ndërsa vijnë edhe me specifikime tejet solide. Laptopët e rinj përfshijnë edhe modelet Notebook 7 dhe Notebook 7 Force.

Notebook 7 do të jetë në dispozicion në variantet prej 13 dhe 15 inçësh, dhe të dy do të ofrojnë rezolucion ekrani Full HD. Të dy modelet do të kenë procesorët Intel Core të gjeneratës së tetë dhe përkrahjen për deri 16 GB RAM. Përveç madhësisë së ekranit, do të dallojnë edhe sa i përket kapacitetit të hapësirës për ruajtje, kështu që laptopi 13-inçësh do të ketë SSD me deri 512 GB, ndërsa ai 15-inçësh do të ketë edhe sllotin shtesë për zgjerim SSD, shkruan KOHA Ditore.

Sa i përket Notebook 7 Force, do të jetë model pak më i fuqishëm me GPU Nvidia GeForce GTX 1650 dhe deri 24 GB RAM. Po ashtu do të përkrahë edhe më shumë hapësirë për ruajtje, me sllotet për një HDD dhe një SSD.

Seria Notebook 7 do të ketë çmim fillestar prej 1000 dollarësh, ndërsa do të jetë në dispozicion prej 26 korrikut, ndërsa laptopët Notebook 7 Pro do të ketë çmim prej 1500 dollarësh.