Zyrtarët e përfshirë në përgatitjet për zgjedhjet presidenciale të Rusisë në vitin 2024 duhet të ndalojnë përdorimin e iPhoneit, shkruan Reuters.
Ky është qëndrimi i ri që ka marrë Kremlini në lidhje me telefonat Apple, për arsye sigurie.
Sergei Kiriyenko, zëvendës shefi i kabinetit të presidentit, u tha zyrtarëve politikë vendas në një seminar të organizuar nga Kremlini që të ndryshojnë telefonat e tyre deri më 1 prill.
“Gjithçka ka marrë fund për iPhone: ose hidheni ose jepjani fëmijëve. Të gjithë do të duhet ta bëjnë këtë në mars”, kanë thënë të pranishmit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk mund ta konfirmonte raportin.
Apple nuk ka komentuar mbi këto akuza.
Kremlini mund të sigurojë pajisje të tjera me sisteme të ndryshme operative për të zëvendësuar iPhonein, sipas mediave ruse. Urdhri për ta ndaluar përdorimin e pajisjeve Apple u është dërguar atyre që janë të përfshirë në politikën e brendshme, për të cilën Kiriyenko është përgjegjës.
Presidenti rus Vladimir Putin ka pretenduar prej kohësh se nuk ka një telefon të mençur, megjithëse Peskov ka thënë se presidenti rus përdor internetin herë pas here.
Menjëherë pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë vitin e kaluar, spiunët amerikanë dhe britanikë zbuluan se Putini po planifikonte për pushtim. Është e paqartë se si spiunët morën një inteligjencë të tillë.
Në mars 2022, Apple ndaloi shitjen e produkteve në Rusi për shkak të vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën. Megjithatë, ministri i Industrisë dhe Tregtisë Denis Manturov u tha gazetarëve shtatorin e kaluar se klientët rusë do të kenë mundësinë të blejnë modelet më të fundit të iPhone.