Botë

“Do ta bombardoj Moskën”, Rusia s’e komenton “ultimatumin” e Trumpit

Trump

Foto: Associated Press

Rusia ka refuzuar ta pranojë ose mohojë raportimin e mediumit prestigjioz amerikan CNN se presidenti Donald Trump në të kaluarën e ka kërcënuar homologun rus, Vladimir Putin, në një thirrje telefonike se do ta bombardojë Moskën për ta parandaluar luftën me Ukrainën.

Zëdhënësi rus, Dmitry Peskov, ka deklaruar të mërkurën se Rusia s’është e sigurt për vërtetësinë e artikullit të publikuar. Raportimi i CNN-it kishte cituar audio-incizime të Trumpit, i cili kishte thënë në një tubim privat me donatorë në kuadër të fushatës së tij parazgjedhore në vitin 2024, se e kishte paralajmëruar njëherë në të kaluarën Putinin se do ta “bombardonte plotësisht Moskën” në qoftë se Rusia vendos ta sulmojë Ukrainën.

“S’mundemi as ta konfirmojmë e as ta mohojmë këtë, edhe nëse do të doja...Nëse është e rreme ose jo, nuk e dimë. Ka shumë lajme të rreme kohëve të fundit”, ka thënë Peskov, kur është pyetur lidhur me artikullin, raporton Reuters.

Në artikullin e mediumit amerikan nuk specifikohet koha se kur udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë i ka bërë këto komente. Megjithatë, aty thuhet se ky “kërcënim” kishte ardhur si përpjekje “për ta parandaluar sulmin rus në Ukrainë”. Pra para se të niste lufta në vitin 2022.

Krahas kësaj, gazeta tjetër amerikane “Washington Post” pati raportuar më herët se Trumpi kishte folur në telefon me Putinin në nëntorin e vitit të kaluar, pas fitores në zgjedhjet presidenciale – teksa e kishte paralajmëruar të mos e përshkallëzonte luftën në Ukrainë. 

Kremlini zyrtar i kishte kualifikuar raportimet rreth bisedës telefonike si “trillim i pastër”.

Biseda e parë telefonike, që dihet publikisht, mes dy liderëve ishte zhvilluar më datë 12 shkurt.

Trump, i cili kishte premtuar se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda një kohe të shkurtër, ka shprehur frustrimin me Putinin në muajt e fundit, teksa konflikti ka hyrë në vitin e katërt.

Sipas CNN-it, Trumpi kishte lëshuar paralajmërim të ngjashëm edhe për presidentin kinez, Xi Jinping, në rast se Kina do të provonte ta pushtonte Tajvanin, tek i kishte thënë atij se Shtetet e Bashkuara do ta bombardonin Pekinin si kundërpërgjigje.