Gjatë Computexit Inteli e prezantoi gjeneratën e dhjetë të procesorëve të vet mobil Core, me emër të koduar Ice Lake. Ata janë krijuar për ultrabooke dhe pajisjet e konvertueshme, dhe definitivisht konfirmojnë se Inteli po e kapërcen gjeneratën e nëntë pas ofrimit të dy gjeneratave të serisë së tetë U, raporton Neowin.
CPU-të e reja 10nm Ice Lake vijnë në variante nga modeli Core i3 deri në Core i7, i kanë deri në katër bërthama dhe deri në tetë threade (të ngjashme me gjeneratën e mëparshme). Turbo frekuenca maksimale e CPU-ve është deri në 4.1GHz, apo deri në 1.1GHz për GPU. Ato u krijuan në arkitekturën 10nm Sunny Cove.
Për sa i përket mbështetjes së grafikës, procesorët e përdorin Iris Plus në vend të serisë Intel UHD Graphics. Grafika Gen11 premton performanca dyfish më të mira, me zhbllokimin e shkallës variabile të hijëzimit, shkruan KOHA Ditore.
Inteli nuk paralajmëroi ndonjë model konkret nga seria Ice Light, as nuk konfirmoi se ata ende e mbajnë emërtimin U-series, as TDP-në e tyre. Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për çipat 28W, si gjenerata e fundit e serisë Iris Plus U, apo 15W si seria e dytë U, apo diçka krejt tjetër.
Inteli më në fund po e integron Thunderbolt 3 në SoC, ndërsa këta çipa do të kenë mbështetje për Wi-Fi 6. Procesorët kryesorë të Intel të gjeneratës së dhjetë janë aktualisht në proces të prodhimit, ndërsa në laptopë priten gjatë sezonit të festave.