Kompania tajvaneze MediaTek i ka rritur ndjeshëm kohëve të fundit përpjekjet e veta në fushën e çipseteve mobile, me një fokus të qartë në funksionet dhe tregjet specifike. Pas modelit Helio G90, i cili përqendrohet në gaming, kompania e ka përqendruar vëmendjen në mbështetjen 5G në segmentin e sipërm dhe të mesëm të tregut, raporton GSMArena.
Sipas roadmapit të mëparshëm të kompanisë, çipat e parë 5G të bazuara në modemin Helio M70 priten gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm. MediaTek tani e ka planifikuar zyrtarisht prezantimin për 26 nëntor, gjatë së cilës ngjarje pritet prezantimi i çipsetit të parë 5G të kompanisë. Është ofruar edhe fotografia e çipit, por nuk ka detaje mbi veçoritë e tij harduerike.
Nga ana tjetër, mund të nxirren disa përfundime dhe parashikime, shkruan KOHA Ditore. Pritet që çipseti të krijohet në procesin 7nm, ndërsa MediaTek është duke e përgatitur atë për partnerët si Oppo dhe Vivo. Disa nga specifikimet e sugjeruara i përfshijnë bërthamat për CPU Cortex-A77 dhe GPU Mali-G77, mbështetje për frekuencën sub-6 GHz, AI engine të gjeneratës së tretë, dhe mbështetje për kamerat deri në 80MP dhe video xhirim prej 4K 60fps.