Ish-shefi i shkëmbyesit të kolapsuar të kriptovalutave “FTX” ka mohuar zyrtarisht akuzat se ai ka mashtruar klientët dhe investitorët.
Sam Bankman-Fried u deklarua i pafajshëm në një gjykatë amerikane të martën, për pretendimet se ai mori depozita klientësh në “FTX” për të financuar firmën tjetër të tij, “Alameda Research”, për të blerë prona dhe për të bërë donacione politike, raportoi BBC-ja.
Ai u lirua pas arrestimit të tij muajin e kaluar, me një paketë garancie prej 250 milionë dollarësh. Por ai përballet me më shumë se 100 vjet burgim nëse shpallet fajtor.
Dy nga kolegët e tij më të afërt e kanë pranuar fajin dhe po bashkëpunojnë me hetimin, i cili ka tronditur të gjithë industrinë e kriptomonedhave.
Në intervistat para arrestimit të tij, ish-miliarderi 30-vjeçar pranoi dështimet, por i quajti ato “gabime të tij”.
Bankman-Fried, i cili themeloi “FTX” në vitin 2019, ishte një nga figurat e profilit më të lartë në industrinë e kriptovalutave, i njohur për lidhjet e tij politike.
Por në nëntor, një valë tërheqjesh nga klientët, e shkaktuar nga raportet për financat e lëkundura e detyroi “FTX” të shpallte falimentimin dhe të zbulonte fondet e munguara me vlerë miliarda dollarë.
Prokurorët akuzuan Bankman-Fried për shpërdorim të fondeve të klientëve të “FTX” për të paguar borxhet në kompaninë e tij tjetër, “Alameda”, dhe për të bërë investime të tjera.
Ata shpallën tetë akuza penale, duke përfshirë mashtrimin me telegram, pastrim parash dhe shkelje të financimit të fushatës. Rregullatorët financiarë ngritën gjithashtu pretendime kundër Bankman-Fried.
Bankman-Fried u arrestua në dhjetor në Bahamas, ku ai jetonte dhe kishte bazën e “FTX”.
Ai u ekstradua në SHBA, ku u lirua me një paketë garancie prej 250 milionë dollarësh. Kushtet e tij të lirimit me kusht kërkonin që ai të mbante një byzylyk monitorimi elektronik dhe të qëndronte kryesisht i mbyllur në shtëpinë e prindërve të tij në Kaliforni, të cilët janë profesorë të drejtësisë në Universitetin “Stanford”.
Prindërit e tij bashkë-nënshkruan obligacionin, duke garantuar paratë nëse djali i tyre nuk paraqitet në gjykatë.