Tech

MacBook Pro më i madh 17-inçësh ndoshta nuk arrin para vitit 2021

Kanë kaluar disa vite që kur Apple e ka ndërprerë prodhimin e MacBook Pro 17 inçësh, duke ua ofruar shfrytëzuesve modelin 15 inçësh si opsionin më të madh që mund ta blejnë. Sigurisht që ka nga ata që u mungon modeli 17 inçësh dhe për të cilët lajmi i kthimit të mundshëm të kësaj madhësie gjatë vitit 2019 ishte interesant, shkruan Ubergizmo.

Megjithatë, si duket nuk është më kështu, pasi që analisti Ming-Chi Kuo pohon se modeli më i madh i MacBook Pro nga Apple nuk do të arrijë para vitit 2021. Sipas raportit të tij të fundit, laptopi do ta ketë një ekran micro LED i cili do ta ofrojë një gamë më të gjerë ngjyrash dhe kontrast më të madh.

Laptopët e Apple aktualisht ende po përdorin ekrane LCD, por sipas testeve të shumta ato e ofrojnë një fotografi mjaft të ndritshme dhe të bukur, shkruan KOHA Ditore. Modeli 17 inçësh mund të synohet drejt përdoruesve të cilët e kërkojnë një ekran edhe më të mirë, për përpunim të fotografive ose videove.

Më herët, Kuo kishte pohuar se një MacBook Pro më i madh mund të vijë me një ekran 16 inçësh, ndërsa tani sugjeron për një madhësi prej 17 inçësh. Ky lajm duhet të merret me një dozë rezerve, pasi që ende nuk ka detaje zyrtare nga Apple.