Tech

Për vitin 2019 parashikohet MacBook Pro 16 inçësh me dizajn të ri

Sipas parashikimeve të Ming Chi-Kuo, analistit të mirënjohur dhe njohësit të zhvillimeve në kompaninë Apple, ky vit mund të sjellë rifreskim në linjën Apple MacBook Pro. Pritet që përveç ridizajnit MacBook Pro ta ketë edhe modelin më të madh që nga viti 2012, përcjell SlashGear.

Gjatë viteve, kompania Apple kryesisht ka qenë e kënaqur me madhësitë 13 dhe 15 inç për MacBookët e saj, ashtu siç bëri me modelet 9.7 inçëshe të iPad. Megjithatë, vitin e kaluar, Apple prezantoi iPad Pro 11 inçësh, ndërsa Kuo beson se do ta implementojë të njëjtën taktikë edhe në linjën e laptopëve MacBook Pro, transmeton KOHA Ditore.

MacBook Pro 16 inçësh nuk është modeli më i madh në historinë e kësaj linje. Këtë titull e mban modeli 17 inçësh, prodhimi i të cilit u ndërpre në vitin 2012. Për ndonjë arsye të caktuar, Apple tani konsideron se madhësia prej 15 inçëve më nuk është e mjaftueshme. Sipas analistëve, modeli i ri MacBook Pro mund të ketë madhësi të ekranit prej 16 deri në 16.5 inç.

Përveç kësaj, Kuo e përmend një dizajn të ri për linjën, por nuk ka publikuar detaje specifike. Ekrani “nga skaji në skaj” mund të jetë një nga risitë, ndërsa ekzistojnë edhe thashetheme për autentifikimin Face ID.