Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për infiltrimin në Qendrën Kombëtare të Kohës të vendit, duke paralajmëruar se shkeljet e rënda mund të shkaktojnë probleme në rrjetet e komunikimit, sistemet financiare, furnizimin me energji elektrike dhe në orarin standard ndërkombëtar, raportoi të dielën Reuters.
Në një deklaratë të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës thuhet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë e ShBA-së ka realizuar një operacion sulmi kibernetik ndaj kësaj qendre për një periudhë të gjatë.
Ministria theksoi se ka gjetur prova që lidhen me të dhënat dhe kredencialet e vjedhura që datojnë nga viti 2022, të cilat u përdorën për të spiunuar pajisjet mobile dhe sistemet e rrjetit të punonjësve të qendrës.
Gjithashtu u deklarua se agjencia amerikane ka shfrytëzuar “një dobësi" në shërbimin e mesazheve të një marke të huaj telefonash inteligjentë për të pasur qasje në pajisjet e stafit në vitin 2022, megjithëse nuk u përmend emri i markës. Qendra Kombëtare e Kohës është një institut kërkimor nën Akademinë e Shkencave të Kinës, që krijon, mirëmban dhe transmeton orarin standard të Kinës.
Hetimi i ministrisë zbuloi gjithashtu se SHBA-ja kishte realizuar sulme ndaj sistemeve të brendshme të rrjetit të qendrës.