Tech

iOS 13 do të jetë në dispozicion nga 19 shtatori

Ashtu siç ishte rasti gjatë viteve të kaluara, versioni i ri i platformës iOS po vjen së bashku me gjeneratën më të re të pajisjeve iPhone. Apple e prezantoi iOS 13 në qershor, gjatë konferencës WWDC, ndërsa tani kompania ka njoftuar se sistemi operativ do të arrijë më 19 shtator, një ditë para se të dalin në treg iPhone 11, iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max, raporton Engadget.

Siç ka treguar Apple më herët, iOS 13 do të ketë një numër të madh përmirësimesh të performancës, rishikime të interfejsit të përdoruesit, azhurnime të aplikacioneve kryesore etj., shkruan KOHA Ditore. Një nga ndryshimet më të dukshme të reja do të jetë dark modi i sistemit, i cili funksionon me të gjitha aplikacionet e integruara të Apple dhe aplikacionet eksterne që e kanë opsionin për dark mode.

Aplikacionet si Reminders, Maps, Notes dhe Photos do të kenë ndryshime më të mëdha, ndërsa Siri Assistant tingëllon shumë më natyrshëm se më parë. Kur bëhet fjalë për performancat, Face ID do të duhet t’i zhbllokojë pajisjet për 30 për qind më shpejt, ndërsa aplikacionet do të hapen dy herë më shpejt se më parë.

Përveç kësaj, Apple njoftoi se iPadOS (sistemi operativ i kompanisë për pajisjet iPad) do të lansohet më 30 shtator.