Tech

Intel dhe Qualcomm lobojnë kundër ndalimit të Huaweit

Ndalimi i bashkëpunimit dhe afarizmit të kompanive amerikane të IT-së me Huawei nuk do të ndikojë negativisht vetëm në gjigantin kinez. Furnizuesit e Huaweit nga Shtetet e Bashkuara do të kenë humbje të mëdha, të cilat do të shkaktohen nga vendimi i fundit i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, raporton TechRadar.

Tani janë paraqitur informatat se prodhuesit amerikanë të çipave, duke përfshirë Inteli, Qualcomm dhe Xilinx Inc, po lobojnë qetas tek qeveria amerikane për ta lehtësuar paksa ndalimin e Huawei.

Burime të afërta me situatën sugjerojnë se zyrtarët nga kompanitë Intel dhe Xilinx Inc janë takuar me anëtarë të Departamentit amerikan të Tregtisë në fund të majit, për të diskutuar për vendimin e vendosjes së Huaweit në listën e zezë, me çfarë kompanive amerikane u ndalohet bashkëpunimi dhe afarizmi me brendin kinez. Sipas burimeve të tjera, me të njëjtën administratë është takuar edhe Qualcommi për të diskutuar për situatën aktuale, shkruan KOHA Ditore.

Sugjerohet se, edhe pse prodhuesit amerikanë të çipave nuk e hedhin poshtë kërcënimin potencial për sigurinë kombëtare i cili mund të shkaktohet nga pajisjet dhe teknologjia 5G e Huawei, kompanitë amerikane gjithashtu theksojnë se serverët dhe telefonat e kompanisë kineze përdorin komponentë, të cilët janë zakonisht në dispozicion dhe nuk do të duhej të paraqesin rrezik.

Sipas burimit, nuk duhet hequr nga mendja arsyeja e vërtetë se pse prodhuesit amerikanë të çipave janë të interesuar për këtë problem, dhe pse po lobojnë kundër ndalimit të Huaweit. Arsyeja kryesore sigurisht që është parandalimi i humbjes potenciale të parave me vlerë prej disa miliardë dollarëve. "Këtu nuk bëhet fjalë që t’i ofrohet ndihmë kompanisë Huawei, ka të bëjë me parandalimin e dëmtimit të kompanive amerikane", tha një burim për Reuters.