Konflikti ka shkaktuar paralajmërime se bota mund të shkëputet, ose të ndahet në sfera të veçanta me standarde teknologjike të papajtueshme, që do të thotë se kompjuterët, telefonat inteligjentë dhe produktet e tjera nga një rajon nuk do të funksiononin në të tjerët. Kjo do të rriste kostot dhe mund ta ngadalësonte inovacionin
Të zemëruar me përpjekjet e SHBA-së që kanë ndërprerë qasjen në teknologji për të prodhuar çipa kompjuterikë të avancuar, udhëheqësit e Kinës duket se po përpiqen të kuptojnë se si të hakmerren pa dëmtuar ambiciet e tyre në telekom, inteligjencën artificiale dhe industri të tjera.
Qeveria e presidentit Xi Jinping, i sheh çipat që përdoren në çdo gjë, nga telefonat tek pajisjet e kuzhinës, tek avionët luftarakë, si asete thelbësore në rivalitetin e saj strategjik me Uashingtonin dhe përpjekjet për të fituar pasuri dhe ndikim global. Çipat janë qendra e një “lufte teknologjike”, ka shkruar një shkencëtar kinez në një revistë zyrtare në shkurt.
Kina ka shkritoret e veta të çipave, por ato furnizojnë vetëm përpunues të nivelit të ulët të përdorur në makina dhe pajisje. Qeveria e SHBA-së, duke filluar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, po ndërpret qasjen në një grup në rritje mjetesh për të bërë çipa për serverët kompjuterikë, inteligjencën artificiale dhe aplikacione të tjera të avancuara. Japonia dhe Holanda janë bashkuar në kufizimin e qasjes në teknologjinë që ata thonë se mund të përdoren për të prodhuar armë.
Xi e ka akuzuar Uashingtonin në mars se po përpiqej të bllokonte zhvillimin e Kinës me një fushatë “frenimi dhe shtypjeje”. Ai i bëri thirrje publikut të “guxojë të luftojë”.
Ndikimi i çipave
Pavarësisht kësaj, Pekini ka qenë i ngadalshëm për t’u hakmarrë kundër kompanive amerikane, ndoshta për të shmangur ndërprerjen e industrive kineze që montojnë shumicën e telefonave inteligjentë, tabletëve dhe pajisjeve të tjera elektronike të konsumit. Ata importojnë çipa të huaj me vlerë më shumë se 300 miliardë dollarë çdo vit.
Partia Komuniste në pushtet po shpenzon miliarda dollarë në përpjekje për ta përshpejtuar zhvillimin e çipave dhe për të zvogëluar nevojën për teknologji të huaj.
Ankesa më e zhurmshme e Kinës: Ajo është e bllokuar nga blerja e një makinerie të disponueshme vetëm nga një kompani holandeze, ASML, që përdor dritën ultravjollcë për të gdhendur qarqet në çipat e silikonit në një shkallë të matur në nanometra, ose të miliardat e një metri. Pa këtë, përpjekjet kineze për t’i bërë transistorët më të shpejtë dhe më efikas duke i paketuar më afër së bashku në copa silikoni të madhësisë së thonjve janë ngecur.

Prodhimi i çipave të procesorit kërkon rreth 1500 hapa dhe teknologji të zotëruara nga furnizues amerikanë, evropianë, japonezë dhe të tjerë.
“Kina nuk do të gëlltisë gjithçka. Nëse ndodh dëmtimi, ne duhet të marrim masa për ta mbrojtur veten”, ka theksuar ambasadori kinez në Holandë, Tan Jian, për gazetën holandeze Financieele Dagblad.
“Nuk do të spekuloj se çfarë mund të jetë kjo”, ka thënë Tan. “Nuk do të jenë vetëm fjalë të ashpra”.
Konflikti ka shkaktuar paralajmërime se bota mund të shkëputet, ose të ndahet në sfera të veçanta me standarde teknologjike të papajtueshme që do të thotë se kompjuterët, telefonat inteligjentë dhe produktet e tjera nga një rajon nuk do të funksiononin në të tjerët. Kjo do të rriste kostot dhe mund ta ngadalësonte inovacionin.
“Bifurkacioni në sistemet teknologjike dhe ekonomike po thellohet”, ka theksuar kryeministri Lee Hsien Loong i Singaporit në një forum ekonomik në Kinë muajin e kaluar. “Kjo do të imponojë një kosto të madhe ekonomike”.
Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në nivelin e tyre më të ulët në dekada për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sigurinë, trajtimit të Hong-Kongut dhe pakicave etnike myslimane nga Pekini, mosmarrëveshjeve territoriale dhe tepricave tregtare miliarda dollarëshe të Kinës.
Kundërpërgjigjja e Kinës
Industritë kineze do të “goditen për mur” në vitin 2025 ose 2026 nëse nuk mund të marrin çipa të gjeneratës së ardhshme ose mjetet për të bërë të tyren, ka shpjeguar Handel Jones, konsulent i industrisë së teknologjisë.
Kina “do të fillojë të mbetet prapa në mënyrë të konsiderueshme”, ka treguar Jones, themelues i Strategjive të Biznesit Ndërkombëtar.
Megjithatë, Pekini mund të ketë ndikim si burimi më i madh i baterive për automjetet elektrike, ka thënë Jones.
Gjigandi kinez i baterive CATL furnizon prodhuesit e automjeteve në SHBA dhe Evropë. Ford Motor Co. planifikon të përdorë teknologjinë CATL në një fabrikë baterish prej 3.5 miliardë dollarësh në Miçigan.
“Kina do të kundërpërgjigjet”, ka sqaruar Jones. “Ajo që publiku mund të shohë është se Kina nuk i jep bateritë e SHBA-së për EV-të”.
Japonia rriti presionin ndaj Pekinit duke iu bashkuar Uashingtonit në vendosjen e kontrolleve mbi eksportet e pajisjeve për prodhimin e çipave. Njoftimi nuk përmendi Kinën, por ministri i tregtisë ka njoftuar se Tokio nuk dëshiron që teknologjia e saj të përdoret për qëllime ushtarake.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, paralajmëroi Japoninë se “armatizimi i çështjeve të teknologjisë shkencore dhe tregtare” do t’i “dëmtonte të tjerët, por edhe veten”.
Disa orë më vonë Qeveria kineze njoftoi për një hetim ndaj prodhuesit më të madh të çipave të memories në SHBA, Micron Technology Inc., furnizues kryesor i fabrikave kineze. Administrata e Hapësirës Kibernetike e Kinës ka treguar se do të kërkonte kërcënime të sigurisë kombëtare në teknologjinë dhe prodhimin e Micron, por nuk dha detaje.
Ushtria kineze gjithashtu ka nevojë për gjysmëpërçues për zhvillimin e saj të avionëve luftarakë, raketa lundrimi dhe armë të tjera.
Alarmi kinez u ngrit pasi presidenti Joe Biden në tetor i kishte zgjeruar kontrollet e vendosura nga Trumpi mbi teknologjinë e prodhimit të çipave. Biden gjithashtu i ndaloi amerikanët të ndihmonin prodhuesit kinezë me disa procese.
Përktheu: Blerta Haxhiu