Kompania ”NewCo Ferronikeli Complex L.L.C” ka njoftuar se do të aplikojë largime kolektive nga puna në përputhje me Ligjin e punës, pasi që siç thuhet në një komunikatë për media, kompania e ka të pamundur të operojë me të gjithë punëtorët, për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që sipas tyre, vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet.
Kompania ka njoftuar se do të zbatojë një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore, siç thuhet, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të siguruar stabilitet financiar dhe operativ në plan afatgjatë.
“Ky vendim vjen pas më shumë se dy viteve tejet të vështira për të mbajtur operacionet dhe për të ruajtur të gjitha vendet e punës që nga ndalimi i plotë i prodhimit në tetor 2023. Gjatë kësaj periudhe, kostot fikse operative, pagat dhe mirëmbajtja e kompleksit, janë financuar plotësisht nga kompania pronare”, thuhet në njoftim.
Gjatë 24 muajve të fundit, ”NewCo Ferronikeli” thuhet se ka ndjekur nga afër luhatjet në tregjet globale të metaleve dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike në Evropë – faktorë të jashtëm që thuhet se kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit dhe kanë dëmtuar qëndrueshmërinë financiare.
“Pavarësisht angazhimeve serioze për uljen e kostove, operacioneve të reduktuara, orëve të reduktuara të punës dhe mbajtjes së furrës kryesore në gjendje të ngrohtë, mungesa e vazhdueshme dhe e gjatë e të ardhurave e ka bërë gjendjen financiare të paqëndrueshme. Pas vlerësimit tepër të kujdesshëm, menaxhmenti ka vendosur se mbajtja e fuqisë punëtore aktuale pa prodhim është bërë e pamundur. Prandaj, kompania nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë me largimin kolektiv në përputhje të plotë me Ligjin e Punës”, thuhet në njoftim.
Të gjithë punonjësit e prekur thuhet se do të marrin të drejtat e tyre ligjore deri në datën e ndërprerjes, dhe njoftimet individuale do të lëshohen sipas procedurave ligjore.
“Kompania mbetet e përkushtuar për një proces të drejtë, transparent dhe me respekt ndaj secilit punonjës. 'NewCo Ferronikeli' mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj. Sapo kushtet e tregut të lejojnë rifillimin e prodhimit, punonjësit e prekur do të kenë prioritet për ripunësim”, thuhet në njoftim.
Një numër i kufizuar personelit thelbësor sipas njoftimit do të mbetet për të siguruar integritetin e kompanisë, të menaxhojë licencat minerare dhe të përmbushë detyrimet ligjore.
Në qershor të vitit 2022, grupi Yildirim, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, pati nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të hekurit dhe nikelit në Evropë.
Deri në atë kohë të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin deri tash nga Grupi BALFIN.
Ferronikeli është privatizuar në vitin 2006.