Dyqani australian online MWave e ka listuar në faqen e vet të produkteve procesorin Core i9-9900KS, të cilin Inteli e kishte paralajmëruar më herët këtë vit, por nuk njoftoi se kur do të dalë në treg produkti.
MWave e radhit procesorin me një çmim prej 899 dollarëve australianë për SKU BX80684I99900KS, ose rreth 605 dollarë amerikanë, raporton TechPowerUp.
Procesori i ri i Intelit është në fakt ai tetëbërthamësh Coffee Lake Core i9-9900K, i cili e ka një takt bazik të punës prej 4.0GHz dhe takt Turbo all-core 5.0GHz, shkruan KOHA DItore. Turbo maksimale me një bërthamë mbetet 5.0GHz, si tek modeli Core i9-9900K.

Më herët këtë javë, Asus e publikoi azhurimin BIOS i cili përmend që Core i9-9900KS do të ketë 127W TDP.
Mbetet për t’u parë nëse Inteli do ta mbajë pozicionin e parë në segmentin e gamingut me këtë model të procesorit, gjë që mund të ndodhë kryesisht falë shpejtësive të taktit punues të çipit. Pyetja është nëse Core i9-9900KS do të mundë të dallohet nga modeli 9900K, duke pasur parasysh që përmirësimet më të mëdha i implementon në fushën e detyrave shumëbërthamëshe, ndërsa takti single-threaded mbetet i njëjtë si tek modeli 9900K.