Inteli e ka bërë një paralajmërim interesant gjatë Computexit për sa u përket procesorëve, paralajmërim ky i cili më së shumti do t’u interesojë IT geekëve. Njoftimi ka të bëjë me procesorin Core i9-9900KS, i cili e paraqet një edicion të veçantë dhe azhurnim të modelit premium 9900K, raporton Engadget.
Përmirësimi më i madh, të cilin do ta ketë procesori i ri, është se do të jetë në gjendje të arrijë boost shpejtësi prej 5GHz në të gjitha tetë bërthamat në vend të vetëm njërës. Inteli nuk ka publikuar shumë detaje rreth çipit, por ka konfirmuar se do ta ketë një takt bazik prej 4GHz (9900K origjinal punon në 3.6GHz), shkruan KOHA Ditore.
Nuk është zbuluar TDP-ja e çipsetit, kështu që nuk dihet nëse do të konsumojë më shumë se modeli origjinal. Gjatë një demoje të shkurtër për mediat, Inteli e prezantoi çipin i cili e ekzekuton Windows Task Managerin, nga të gjitha tetë bërthamat në një maksimum prej 5GHz.