Sipas Intelit, desktop procesori i ardhshëm i kompanisë, Core i9-10900K, është deri në 30 për qind më i shpejtë se modeli Core i9-9900K. Kompania ka krijuar një sllajd me performancat, i cili u shfaq në internet, raporton TechPowerUp.
Procesori Core i9-10900K është i bazuar në arkitekturën 14nm "Comet Lake-S" dhe është krijuar për platformën e re LGA1200 (pllakat amë Intel 400-series). Procesori i ka 10 bërthama dhe 20 threade, me TDP prej 125W. Falë bërthamave shtesë të CPU-së, Core i9-10900K ofron rritje të procesimit deri në 25% krahasuar me i9-9900K.

Sllajdi i tregon disa përmirësime të tjera që çipseti do t’i implementojë, si rezultati më i mirë për 26% në Cinebench R15, dhe 10 për qind më shumë në SYSMark 2014 SE, shkruan KOHA Ditore. Në testet që nuk bazohen në bërthama, Inteli mbështetej në rritjen e shpejtësisë së taktit dhe një algoritëm të përmirësuar boosting, për të dhënë rezultate të përmirësuara.
Inteli po prezanton teknologji të re të taktit të punës të quajtur Thermal Velocity Boost, e cila mund ta rrisë shpejtësinë e taktit të procesorit Core i9-10900K deri në 5.30GHz.