Është vështirë të besohet, por një kompani që prodhon telefona Android ka premtuar se për herë të parë do t’ua mundësojë përdorimin e aplikacionit “iMessage” nga Apple edhe përdoruesve të këtij sistemi operativ.
Prodhuesi “Nothing” ka deklaruar se “Nothing Chat” si aplikacion do t’ua mundësojë përdoruesve të vetë të bisedojnë me miqtë që kanë iPhone, pa përdorur aplikacione të treta.
“iMessage” është shërbim i mesazheve i zhvilluar nga Apple dhe që u lansua më 2011. Funksionon ekskluzivisht në platformat e Appleit nga iPhonet, iPadët, orët e mençura e te kompjuterët Mac. Bërthama e këtij aplikacioni është dërgimi i mesazheve në formë teksti, fotografive, videove a dokumenteve. S’ka funksionuar kurrë më parë tek Androidi.
“Nothing Chat” si aplikacion do të funksionojë përmes “Sunbird”, zhvillues aplikacionesh që ka thënë se është në gjendje të funksionalizojë bisedat me “iMessage” për tash e një vit. Siç shkruan “Washington Post” duke cituar shefat e “Nothingut” dhe “Sunbirdit”, një version i këtij aplikacioni do të jetë në dispozicion nga e premtja. Për ta funksionalizuar sistemin, përdoruesit duhet të pajisen me telefonin “Nothing Phone 2”.
Kompania ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëligjshme në këtë sistem dhe se duhet të lejohet nga autoritetet.
“Nuk shohim ndonjë skenar në të cilin Apple mund të përpiqet ose do të provojë t’i bllokojë këto mesazhe. Fokusi i Appleit ka qenë në vazhdimësi të ofrojë përvojën më të mirë te përdoruesit dhe këtë ne do ta ndihmojmë”, ka thënë Dany Mizrahi, shef ekzekutiv i “Sunbirdit”.