Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Google teston aplikacionin 'Play Pass' dhe parapagimin për lojëra

Në fillim të këtij viti, Apple publikoi Apple Arcade - një shërbim ky mujor i bazuar në parapagim i cili mundëson qasjen në bibliotekën e lojërave mobile (përfshirë edhe disa tituj ekskluzivë) në platformën iOS. Apple Arcade nuk është lëshuar ende në punë, ndërsa tani kemi informacione se Google është duke e testuar shërbimin e vet konkurrent, të emërtuar Play Pass, raporton Android Police.

Ekipi XDA Developers qysh vitin e kaluar ka gjetur prova se Google është duke punuar në shërbimin Play Pass, por tani kompania po fillon edhe me testime. Në fotografitë shoqëruese është shfaqur faqja për logim në Play Pass dhe një çmim prej 4,99 dollarë në muaj. Natyrisht, ky çmim mund të ndryshojë deri në publikimin final të shërbimit.

Image

Përshkrimi i faqes sugjeron që do të ekzistojë katalogu me lojëra, aplikacione muzikore premium dhe gjithçka tjetër në mes të tyre, shkruan KOHA Ditore. Me Google Play Pass do të mund të hapet qasja në mijëra aplikacione premium dhe lojëra pa reklama, pagesa për shkarkim ose blerje në kuadër të aplikacioneve.

Mbetet për t’u parë nëse shërbimi parapagues për lojëra/aplikacione do të jetë i shpagueshëm në Android, duke pasur parasysh që përdoruesit e iPhone shpenzojnë shumë më shumë para në aplikacione sesa ata të Androidit.