Tech

Mbërrin “Netflixi për videolojëra”

Apple Arcade është shërbimi që do të funksionojë si i ashtuquajturi "Netflix për videolojëra". E gjitha filloi më 19 shtator, ndërsa abonimi mujor është 5 dollarë.

Këtu nuk bëhet fjalë për streamingun klasik të videolojërave, por për shumën e abonimit mujor do të merrni qasje në një bazë të dhënash me rreth njëqind tituj të cilët mund të downloadohen në pajisjet tuaja dhe të luhen në çdo kohë, shkruan KOHA Ditore. Pavarësisht nga statusi online.

Gjithashtu bëhet fjalë për "paketën familjare" ku do të mund të luajnë gjithsej gjashtë anëtarë të familjes, miq ose të njohur me të cilët ndahet abonimi.

Lojërat e shkarkuara nuk do të jenë të mbushura me reklama dhe nuk do të duhet të paguhet shtesë për ndonjë prej lojërave.

Për cilat lojëra bëhet fjalë? Apple i quan ato "unike", por ky është një përshkrim i butë për lojërat indie. Nuk ka asgjë të keqe me këtë, por nuk duhet të ketë pritje të mëdha. Kur merret parasysh që muaji i parë i përdorimit është falas, kjo është më shumë sesa kohë e mjaftueshme që çdokush të vlerësojë nëse Apple Arcade i plotëson kërkesat individuale.

Shumë shfrytëzues po pyesin nëse Apple do ta lansojë kontrollorin e vet, por për këtë ende nuk ka informacione.

Ajo që dihet është se pa problem mund të përdoren kontrollorët për PS4 dhe Xbox One të cilët do të mund të çiftëzohen me pajisjet mobile. Gjithashtu, disa nga lojërat do të kenë mbështetje për kontrollorët MFi Bluetooth.