Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që i është shtuar shërbimit Google Street View, duke shënuar një nga zgjerimet më të rëndësishme të Google Europe në rajon.
Pas rreth dy vjetësh incizimesh dhe një pritjeje të gjatë, shërbimi është bërë më në fund i disponueshëm këtë muaj dhe territori i Kosovës tashmë është hartëzuar me teknologjinë më të avancuar të Googleit.
Fotografimi është realizuar nga korriku i vitit 2025 deri në maj të vitit 2026, duke përdorur kamerat e gjeneratës së katërt të Google. Një pjesë e pamjeve, të realizuara në tetor 2025, tregojnë Kosovën të mbuluar nga reshje të dendura bore, që përfshinë edhe zonat përreth Prishtinës dhe një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit. Pavarësisht motit të vështirë, projekti nuk u ndërpre, pasi ekipet e Googleit përdorën kamera portative të projektuara posaçërisht për kushte të tilla.
Një detaj interesant është se personazhi i njohur Pegman, maskota e Google Street View, shfaqet ndryshe në disa pamje falë një bashkëpunimi mes këngëtares Dua Lipa, platformës Service95 dhe Google Maps, në kuadër të promovimit të vendeve të ndryshme në disa qytete, përfshirë edhe Prishtinën.
Autoritetet e Kosovës i kanë dhënë leje edhe Appleit për të fotografuar pjesë të qyteteve gjatë vitit të kaluar, por ndryshe nga Google, ato pamje ende nuk janë publikuar.
Përpara lansimit të Google Street View, tregu në Kosovë ishte mbuluar pjesërisht nga iniciativa vendore. Një prej tyre ishte Gjirafa.biz, e cila kishte fotografuar një pjesë të territorit që në vitin 2016.
-
“Deep Space” sjell në 3D botën ujore dhe galaksinë në Prishtinë
-
Google lanson versionin e ri të modelit të saj AI, Gemini 3
-
Visa sjell Apple Pay në Kosovë – Një mënyrë më e sigurt për të paguar me iPhone dhe Apple Watch
-
IPKO thyen rekordin e trafikut mobil në Kosovë, arrin kulmin prej 60 Gbps
-
Kosova e Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara e identifikimit elektronik