Tech

Gigabyte i prezanton pllakat e reja amë X299X për CPU-të Intel Cascade Lake-X

Gigabyte ka prezantuar pllakat e reja amë X299X, të dedikuara për procesorët e Intelit Cascade Lake-X HEDT, dhe bëhet fjalë për modelet Designare 10G, Aorus Xtreme WaterForce dhe Aorus Master.

Tre pllakat e reja amë do ta kenë logon X299X, por dizajni në fakt e përdor çipsetin e mëparshëm X299. Shtimi i prapashtesës X në fund tregon se pllakat u krijuan posaçërisht për procesorët e rinj Cascade Lake-X.

Image

Funksionet e reja që implementojnë pllakat përfshijnë zgjidhjen e avancuar termike për modulet e rregullimit të energjisë, mbështetjen Thunderbolt 3, rrjetin Intel 80211AX Wi-Fi 6 dhe koneksionin 10 Gbps Ethernet, shkruan KOHA Ditore. Përveç kësaj, Gigabyte e ka shtuar një kodek për audio me cilësi të lartë, kështu që pllakat tani i kanë ALC 1220-VB IC dhe ESS sabre DAC, me teknologjinë Gigabyte AMP-UP Audio.

Të tre pllakat kanë sisteme 16-fazore të furnizimit me rrymë, komponente të integruara të nivelit të serverit dhe mbështetje për memorie katër-kanalëshe me tetë slote në dispozicion me mbështetje deri në 256 GB RAM. Gjithashtu ofrohet mbështetje për konfigurim multi-GPU, ndërsa pllakat janë verifikuar për kartelat grafike Nvidia Quadro.

Modelet Designare 10G dhe X299X Aorus Xtreme WaterForce kanë mbështetje të integruar Thunderbolt 3, me dy porte USB Type-C dhe mbështetje për trafik prej 40 Gbps. Të gjitha pllakat Gigabyte X299X kanë slote PCIe x4 M.2, ndërsa përdoruesit mund ta përdorin edhe modulin Intel Optane.

Të tre pllakat e reja amë Gigabyte do të dalin në shitje së shpejti, pasi që Inteli njoftoi se CPU-të Cascade Lake-X do të dalin në treg nga nëntori.