Tech

Azhurnimi i mikrokodeve të Intelit do ta përmirësojë overclockimin e procesorit Cascade Lake-X

Inteli është e duke përgatitur një azhurnim të mikrokodeve specifike për çipsetin e vet X299 Express, i cili do të duhej t’i përmirësonte mundësinë e overclockimit të procesorit të gjeneratës së 10-të të kompanisë, Core i9 XE "Cascade Lake-X", raporton TechPowerUp.

Lajmi për këtë azhurnim u publikua nga kompania MSI në një njoftim për publikun, ku theksohet se mikrokodi i ri në azhurnimin BIOS vjen në linjën e plotë të kompanisë të pllakave amë LGA2066, shkruan KOHA Ditore.

"Për t’i përmirësuar mundësitë overcloackuese të procesorëve të rinj Intel Core X-Series (Intel Core i9-10980XE, 10940X, 10920X, 10900X), Inteli do të sigurojë azhurnim të ri të mikrokodit. Mikrokodi i ri do të ndihmojë gjithashtu në maksimizimin e performancave të përgjithshme të procesorit Cascade Lake-X", thuhet në deklaratën e kompanisë.

Nuk është bërë e ditur se për çfarë ndryshimesh specifike bëhet fjalë, ndërsa azhurnimi i mikrokodit do të jetë në dispozicion të përdoruesve si pjesë e azhurnimit të BIOS-it, për secilin prodhues të pllakave amë veç e veç.