Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Ekranet MSI Optix MAG161 janë portativë dhe ofrojnë rifreskim prej 240Hz

Gjatë panairit CES 2020 në Las Vegas, MSI e prezantoi serinë e monitorëve portativë Optix MAG161, të karakterizuar nga panelet Full HD IPS me cilësi të lartë, me peshë nën 1 kg dhe mbështetje për hyrjet HDMI dhe USB Type-C.

Ekranet gjithashtu e mbështesin teknologjinë AMD FreeSync, ndërsa disa modele karakterizohen nga rifreskimi 240Hz, raporton Overclock3D.

Edhe pse MSI përqendrohet në modelet nga segmenti më i lartë, duhet të theksohet se seria MAG161 përfshin edhe segmente të tjera, shkruan KOHA Ditore. Për shembull, Optix MAG161V përqendrohet në përdoruesit që kanë nevojë për ekran të lehtë dhe portativ pa rifreskimin 240Hz të cilin e ka modeli premium. Optix MAG161V është krijuar për produktivitet.

Të gjitha modelet në serinë MSI Optix MAG161 vijnë me dy altoparlantë të integruar, kanë profil të hollë 5.1 mm, kontroll për ndriçim dhe cilësime të tjera. Secili nga ekranet Optix MAG161 gjithashtu vjen me shtëpizë të mençur e cila e mbron ekranin gjatë transmetimit dhe ua mundëson përdoruesve ta vendosin monitorin në pozicionin e tyre të preferuar për shikimin e përmbajtjes.

MSI nuk ka treguar se kur seria e monitorëve Optix MAG161 do të jetë në dispozicion në treg, si dhe as për çmimet e modelit.