Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

DisplayPort 2.0 përkrah monitorët 8K

Me paralajmërimin e ekraneve 8K dhe modelit Apple 6K Pro Display XDR, i cili së shpejti do të arrijë, është koha që standardi DisplayPort të azhurnohet. Video Electronics Standards Association (VESA) tani u është përgjigjur nevojave për rritje të bandwidthit dhe e ka publikuar DisplayPort 2.0, raporton Engadget.

Ky është azhurnimi i parë i madh i standardit që nga viti 2016, dhe do ta mundësojë një rritje të trefishtë të trafikut krahasuar me versionin e mëparshëm. Standardi do t’i mbështesë monitorët 8K, norma më të larta të rifreskimit, HDR në rezolucione më të larta, dhe do të ketë mbështetje të përmirësuar për sistemet me disa monitorë. Gjithashtu mund t’i përmirësojë displejet AR dhe VR.

Ashtu si me standardet më të fundit, versioni 2.0 punon përmes USB-C dhe konektorit DisplayPort. Standardi i ri është i aftë ta ofrojë një maksimum prej 77.37 Gbps, që është pothuajse tre herë më shumë se 25.92 Gbps, sa ofronte versioni 1.4. Si rezultat i kësaj, DisplayPort 2.0 është gjithashtu standardi i parë me mbështetje për rezolucionin 16K @60Hz, me 30 bpp 4:4:4 HDR me ngjyra të plota, shkruan KOHA Ditore.

Sipas VESA, produktet e para të DisplayPort 2.0 priten në treg më vonë gjatë vitit 2020.