Samsungu ka njoftuar që 8K QLED TV i kompanisë do të jetë ndër të parët që do të certifikohen nga 8K Association (8KA) gjatë këtij viti, raporton Engadget.
Kjo do të thotë që televizorët e certifikuar do të kenë të paktën rezolucion 7680 x 4320p, ndriçim prej 600 nitesh dhe mbështetje për standardet HDMI2.1 dhe HEVC (H.265). Këtu gjithashtu mund të përfshihen modelet si Samsung Q950T pa kornizë.
Certifikimi është domethënës, pasi që Samsungu do të mund t’i promovojë TV-të e veta 8K si të konfirmuara nga 8KA, së bashku me një logo që e konfirmon atë mbështetje, shkruan KOHA Ditore. "Qëllimi ynë është t'ua sigurojmë klientëve mundësinë për t’i identifikuar lehtësisht ekranet premium 8K krahasuar me pajisjet e tjera gjatë blerjes së televizorit", tha Hyogun Lee – nënkryetar i Samsung Display.
Për blerësit ky informacion do të jetë i rëndësishëm, sepse ata mbështeten shumë në grupet si 8KA për t’i identifikuar modelet e TV 8K që duan t’i blejnë (e njëjta gjë vlen edhe për televizorët UHD Alliance për 4K).
Megjithatë, nuk pritet që të gjitha sa më sipër të kenë shumë rëndësi së shpejti, duke pasur parasysh që televizorët 8K janë jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe pothuajse nuk ka fare përmbajtje 8K për momentin.