Kohë më parë u paraqitën thashethemet që është duke u përgatitur loja e re Call of Duty, ndërsa tani këto informata janë konfirmuar sepse është paralajmëruar edhe zyrtarisht Call of Duty: Modern Warfare (2019), përcjell Ubergizmo.
Sipas përshkrimit në YouTube, ku edhe është vendosur trileri i ri: “Basti kurrë nuk ka qenë më i madh, sepse lojtarët e marrin rolin e operatorëve vdekjeprurës Tier One në rrëfimin, i cili do të ndikojë në ekuilibrin global të fuqisë. Call of Duty: Modern Warfare i tërheq adhuruesit në një narracion të jashtëzakonshëm dhe provokues që sjell intensitet të patejkalueshëm dhe flet për natyrën e ndryshueshme të luftës moderne”.
Këtë version të lojës e ka zhvilluar Infinity Ward, që ishte e ngarkuar edhe për Modern Warfare. Loja do të përkrahë platformat e ndryshme, ku përfshihen Xbox One, PS4 dhe PC. Do të ekzistojë Season Pass për përmbajtjen që do të publikohet më pas, shkruan KOHA Ditore.
Planifikohet që Call of Duty: Modern Warfare (2019) do të publikohet më 25 tetor të këtij viti.