Rrjeti social Twitter nuk po funksionon aktualisht pasi ka përjetuar ndërprerje të madhe.
Problemet me shërbimin filluan rreth orës 14:05 të enjten. Shumë përdorues thonë se krejt çka u shfaqet është mesazhi “this page is down”.
Problemet po prekin uebfaqen e Twitterit dhe madje edhe aplikacionin TweetDeck të kompanisë.
Downdetector ka mijëra raporte për probleme me Twitter, por faqja e Twitterit pretendon se "të gjitha sistemet janë funksionale". Ndërsa ngarkohet domeni kryesor Twitter.com, nuk është e mundur të identifikohesh në shërbim ose të qasesh në tweet për momentin.
Kjo është ndërprerja e parë e madhe e Twitterit që nga një seri problemesh në shkurt.
Problemet e fundit të Twitterit vijnë vetëm disa ditë pasi rrjeti social ngriti një padi kundër Elon Muskut, njeriu më i pasur në botë. Musk po përpiqet të anulojë marrëveshjen e blerjes prej 44 miliardë dollarësh bazuar në pretendimet që Twitteri nuk ka arritur të plotësojë kërkesat për informacion mbi aktivitetin e boteve dhe spam-eve në platformë.