Apple po përpiqet të rrisë prodhimin e produkteve të saj jashtë Kinës, sipas një raporti të fundit nga Wall Street Journal. Lëvizja është një tentativë e gjigantit të iPhone për të ulur varësinë ndaj vendit me popullsinë më të madhe në botë, ndërsa kufizimet e COVID-19 i kanë goditur rëndë biznesin.
Sipas WSJ, Apple ka vënë në dijeni disa prej kompanive që merren me prodhimin e pjesëve dhe montimin e iPhone në Kinë. Në shënjestrën e Apple duket të jenë Vietnami dhe India.
Kina prej kohësh ka qenë qendra e prodhimit të pajisjeve Apple, me fabrikat në këtë vend që gjeneronin 90% të produkteve madhore të kompanisë si iPhone, MacBook dhe iPad.
Shitjet e Apple mund të goditen me tetë miliardë dollarë për shkak të kufizimeve të vendosura së fundit nga Kina për COVID-19.
Kompanitë perëndimore gjithashtu kanë filluar të distancohen nga Kina, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.