Microsofti i implementon dhe promovon ikonat e veta të reja të Office në të gjitha platformat në të cilat shërbimi është në dispozicion. Ikonat e reja tani janë mundësuar për përdoruesit e Office 365 në platformat Windows, mobile dhe web. Njëra pjesë, e cila ende nuk ka marrë ikona të reja, është paketa Office Mobile për Windows 10, raporton Neowin.
Edhe pse aplikacionet UWP (Universal Windows Platform) nuk do të kenë funksione të reja në të njëjtën mënyrë që vijnë për iOS dhe Android, llogaria në Twitter, MS Office Insiders, tani ka konfirmuar se aplikacioni vërtetë do të ketë ikona të reja. Nuk është publikuar korniza konkrete kohore ndërsa Microsofti vetëm ka vënë në dukje se pamja e ikonave të reja është duke ardhur së shpejti dhe se më shumë hollësi do të jenë në dispozicion kur kjo të ndodhë, shkruan KOHA Ditore.
Sigurisht, nuk ka shumë njerëz që ende i përdorin aplikacionet Office Mobile për Windows 10, të krijuara fillimisht për telefona dhe tabletë të vegjël. Megjithatë, aplikacionet e kanë një të ardhme pasi që Microsofti ka shumë të ngjarë të vazhdojë t'i përdorë ato për pajisjet që nuk i ekzekutojnë aplikacionet Win32, siç janë Surface Hub 2 dhe HoloLens 2.