Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Adata zgjeron ofertën e produkteve në monitorë, laptopë dhe gaming PC

Kompania Adata aktualisht shet zgjidhje të memories si SSD dhe DRAM. Sidoqoftë, kompania po planifikon t’i ndryshojë taktikat duke filluar nga viti 2020. Për fillim, Adata dëshiron të fillojë me shitjen e më shumë produkteve që do të jenë pjesë e linjës së kompanisë Xtreme Performance Gear (XPG), raporton TechPowerUp.

XPG kështu do të ofrojë produkte të reja si monitorë, laptopë, kompjuterë për gaming dhe shtëpiza për PC. Adata po planifikon ta mbulojë segmentin e ri të tregut dhe të pozicionohet si një brend i fortë për produktet e PC për gaming, shkruan KOHA Ditore. Më shumë detaje në lidhje me linjën e re të produkteve do të dihen gjatë panairit CES 2020, por ka informacione se çfarë do ta përbëjë këtë linjë.

Për fillim, linja XPG do të ofrojë laptop me emërtimin Xenia 15. Bëhet fjalë për laptopin 15.6 inçësh për gaming me ekran 1080p IPS dhe procesor të gjeneratës së nëntë Intel Core i9. Gjithashtu ofrohet gaming PC i emërtuar XPG Gaia - një mini PC prej pesë litrash me një sllot PCIe për kartelë grafike.

Gjithashtu pritet edhe monitori i ri, i emërtuar Photon, i cili e ka panelin 27-inçësh me teknologjinë e PixelDisplay Vivid Color Eye-Safe Display, e cila e bllokon dritën e kaltër. Kur bëhet fjalë për shtëpizat, modeli XPG Volta është një shtëpizë cilindrike, e krijuar nga materialet premium si metali dhe qelqi i kalitur. Shtëpiza do të mund ta akomodojë pllakën amë E-ATX dhe sistemin e ftohjes me ujë.

Në fund, XPG do të vijë me dy koncepte të modulit memorik RGB DDR4, me shpejtësi deri në 4800MHz dhe kapacitet deri në 32 GB për DIMM.