Një punonjës 75-vjeçar i kompanisë Google po tërhiqet nga puna, derisa i bëri disa paralajmërime “të frikshme” rreth inteligjencës artificiale dhe sistemeve inteligjente si ChatGPT.
Në një intervistë për BBC-në, Geoffrey Hinton, deklaroi të martën se rreziqet e kësaj inteligjence janë mjaft të mëdha, duke shtuar se rreziku i tyre mund të shtohet edhe më shumë.
“Për momentin, ata nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mund të them. Por mendoj se së shpejti do të jenë. Për momentin, ajo që po shohim është se si gjëra të tilla si GPT-4 po eklipsojnë një person në sasinë e njohurive të përgjithshme...Duke pasur parasysh shkallën e progresit, ne presim që gjërat të ‘përmirësohen’ shumë shpejt. Kështu që ne duhet të shqetësohemi për këtë”, deklaroi Hinton, që në botën teknologjike njihet si “kumbari” i AI-së.
Ai deklaroi se njohuritë e sistemeve inteligjente do të rriten me kohë, e kjo sipas tij, do të jetë e rrezikshme pos për vendet e punës, edhe për të ardhmen.
“Mund të imagjinoni, për shembull, një person i rrezikshëm (si presidenti rus Vladimir Putin) të vendosë t’u japë robotëve aftësinë për t’i arritur nën-qëllimet e tij...Kam arritur në përfundim se kjo përfundimisht mund të krijojë qëllime si ‘më duhet të marr më tepër fuqi’”, deklaroi profesori Hinton.
Shqetësuese për të është edhe ndarja mes sistemeve biologjike dhe digjitale.
“Ne jemi sisteme biologjike dhe këto janë sisteme digjitale. Ndryshimi i madh është se me sistemet digjitale ju keni më shumë kopje të së njëjtës grupe peshash, të njëjtin model të botës. Dhe të gjitha këto kopje mund të mësojnë veçmas, por të ndajnë njohuritë e tyre në çast. Pra, është sikur t’i kishit 10.000 njerëz dhe sa herë që një person të mësonte diçka, të gjithë do ta dinin automatikisht. Dhe kjo është se si këta chatbots mund të dinë shumë më tepër se çdo person tjetër”, shtoi ai.
Profesori shtoi se kompania ku ka punuar deri më tani, Google, mbetet e përkushtuar për një qasje më të përgjegjshme ndaj inteligjencës artificiale.
“Ne po mësojmë vazhdimisht t’i kuptojmë rreziqet, ndërsa gjithashtu inovojmë guximshëm”, theksoi ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.