Ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do t'i lejohet kthimi i llogarive në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
BBC-ja raportoi të mërkurën se kompania Meta mori vendim për kthimin e Trumpit, dy vjet pasi ia pezulloi llogaritë. Pezullimi, sipas kompanisë amerikane, do të përfundojë në javët e ardhshme.
Nick Clegg, drejtor i Metas për çështje të jashtme, deklaroi se audiencës duhet t'i mundësohet “dëgjimi i asaj që thonë politikanët”.
Trump ishte pezulluar nga rrjetet sociale pas trazirave në Capitol, ku mbështetës të republikanit sulmuan objektin e kuvendit. Ai ishte pezulluar edhe nga Twitteri, me arsyetimin se shpërndante lajme të rreme, derisa kthimi iu mundësua nëntorin e 2022-s.