Korporata teknologjike, Microsoft, ka njoftuar se shërbimet e saj janë rikthyer pasi dhjetëra mijëra përdorues kanë raportuar se platformat si Outlook dhe Teams kanë ndaluar së funksionuari, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Përmes një postimi në Twitter, kompania ka njoftuar se shërbimet e saj janë rikuperuar dhe mbeten të qëndrueshme.
“Downdetector”, i cili gjurmon ndërprerjet e faqeve në internet, tregoi një numër të konsiderueshëm të përdoruesve që raportonin probleme.
Në një deklaratë për BBC-në, Microsofti në mënyrë kategorike përjashtoi një sulm kibernetik si shkak të mundshëm të çështjes.
Problemet e së mërkurës prekën një sërë produktesh të përdorura gjerësisht të Microsoftit.
Raportet e problemeve erdhën nga shumë vende, teksa Downdetector njoftoi se mori mijëra raporte vetëm në Indi dhe Japoni.
Ndërprerja erdhi një ditë pasi Microsoft raportoi se shitjet e tij u rritën vetëm 2 për qind në tre muajt deri në dhjetor, në 52.7 miliardë dollarë - me fitimet e përgjithshme që ranë me 12 për qind në 16.4 miliardë dollarë.
Ndërkohë, më 19 janar, Microsoft njoftoi se do të reduktonte fuqinë punëtore me afërsisht 5 për qind, duke larguar rreth 10 mijë punëtorë.