Tech

“Cloudfare” kërkon falje për ndërprerjen që goditi shumë faqe interneti

Cloudflare

Shumë faqe interneti të profilit të lartë, përfshirë “X”  dhe “ChatGPT”, pësuan rënie të martën, për shkak të problemeve që prekën një nga firmat kryesore të infrastrukturës së internetit, “Cloudflare”, raporton “BBC”. 

Mijëra përdorues raportuan për probleme me uebfaqe, si dhe shërbime tjera, në faqen e monitorimit “Downdetector”. Raportimet nisën rreth orës 12:00. 

“Cloudflare” tha se “ndërprerja e konsiderueshme” ndodhi pasi një “file” i konfigurimit i projektuar për ta trajtuar trafikun e kërcënimeve nuk funksionoi siç duhej dhe “shkaktoi një bllokim” në softuerin që trajton trafikun për shërbimet e saja më të gjera. 

“Ne u kërkojmë falje klientëve tanë dhe internetit në përgjithësi që ju zhgënjyem sot. Duke pasur rëndësinë e shërbimeve të ‘Cloudflare’, çdo ndërprerje është e papranueshme”, shtoi kompania. 

"Cloudflare" tha se ndërsa problemi është zgjidhur, disa shërbime mund të hasin ende në ndonjë “error” ndërsa rikthehen online. 

Një gamë e gjerë e aplikacioneve dhe faqeve të internetit u prekën nga ndërprerja. Në mesin e faqeve që u prekën ishte edhe portali KOHA.net.

“Cloudflare” është ndër ofruesit më të mëdhenj të sigurisë në internet, duke kryer shërbime të tilla si kontrollim i lidhjeve të vizitorëve me faqet që vijnë nga njerëzit e jo nga robotët. 

Ajo thotë se 20% e të gjithë faqeve të internetit në gjithë botën përdorin shërbimet e saja.