Tech

Foxconn kërkon falje për gabimin lidhur me pagat në fabrikën më të madhe të iPhonet në botë

Nënkontraktori kryesor i Applet, Faxconn ka kërkuar falje të enjten për gabimin e lidhur me pagat në fabrikën e iPhonet në Kinë pas trazirave të shkaktuara nga punëtorët të mërkurën, shkroi Reuters.

Sipas Foxconnit, ka ndodhur një gabim teknik i lidhur me pagat kur ka punësuar rekrutët e rinj në një fabrikë të iPhonet të goditur nga COVID-19 në Kinë.

Punëtorët gjatë protestave thyen kamerat e vëzhgimit dhe janë përleshur me personelin e sigurisë në fabrikën më të madhe të iPhonet në botë, në qytetin Zhengzhou një ditë më parë.

Mosmarrëveshjet janë shkaktuar nga pretendimet për pagesa të vonuara dhe nga zhgënjimi për kufizimet e ashpra të COVID-19.

Punëtorët thanë në videot e qarkulluara në rrjetet sociale se ishin informuar që furnizuesi Apple synonte të vononte pagesat e bonusit.

Disa punëtorë të tjerë u ankuan se u detyruan të ndajnë konviktet me kolegët që kishin rezultuar pozitivë për COVID.

“Ekipi ynë ka shqyrtuar çështjen dhe ka zbuluar një gabim teknik që ka ndodhur gjatë procesit të hyrjes në bord”, tha Foxconn në një deklaratë, duke iu referuar punësimit të punëtorëve të rinj. “Kërkojmë ndjesë për gabimin e të dhënave në sistemin kompjuterik dhe garantojmë që pagesa aktuale është e njëjtë me atë të rënë dakord”, thuhet më tej në deklaratën e kompanisë.

Trazirat vijnë në një kohë kur Kina po regjistron një numër rekord të infeksioneve COVID-19 dhe po përballet me gjithnjë e më shumë bllokime.