Tech

Zëvendësimi i Huaweit për Android mund të prezantohet këtë javë

Raporti i ri pretendon se sistemi alternativ operativ i Huaweit (i quajtur në raport si Hongmeng OS) mund të jetë afër lansimit zyrtar.

Raporti vjen nga Global Times-i kinez, dhe i përmban disa detaje kyçeqë mund të verifikohen së shpejti, përcjell The Verge.

Sipas raportit, Huawei do ta prezantojë sistemin e vet operativ në konferencën për developerë, e cila fillon më 9 gusht në Kinë. Zyrtarët e Huawei kanë theksuar më parë se Hongmeng OS është dizajnuar kryesisht për pajisjet IoT, por fillimisht do të arrijnë në televizorët e mençur Honor. Mbetet të shihet se çfarë emërtimi zyrtar do të përdoret për versionin e platformës të dedikuar për telefona.

Raporti e krahason sistemin operativ Hongmeng me Google Fuchsia, i cili është gjithashtu një sistem operativ eksperimental dhe është krijuar për të punuar në formate të ndryshme pajisjesh, shkruan KOHA Ditore. Hongmeng OS është gjithashtu i bazuar në mikrokernel, kështu që mund ta implementojë inteligjencën artificiale më lehtë dhe mund të punojë në shumë platforma të ndryshme.

Global Times gjithashtu pohon se telefoni Hongmeng OS është në fazën e avancuar të zhvillimit dhe tashmë është duke u testuar. Pajisja e parë do të duhej të shfaqet me modelin premium Huawei Mate 30 Pro, më vonë gjatë vitit, ndërsa publikimi është planifikuar për tremujorin e katërt. Megjithatë, ky telefon do ta shënjestrojë segmentin e ulët/të mesëm të tregut, me një çmim prej deri në 300 dollarë.