Sporte të tjera

Trajneri i veçantë, drejton 16 olimpistë nga 13 vende të ndryshme

Benoit Richaud

Shikuesit më të vëmendshëm të patinazhit artistik të martën në mbrëmje mund të kenë menduar se po shihnin dyfish kur trajneri francez Benoit Richaud u fotografua me xhaketë të Francës e më pas me atë të Gjeorgjisë për sportistë që po paraqiteshin njëri pas tjetrit.

Richaud është 38-vjeçar. Është trajner dhe koreograf, ndërsa thotë se punon me 16 patinatorë në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Itali. Dhe këta 16 garues i përfaqësojnë plot 13 vende të ndryshme.

Shtatë prej tyre ishin në programin e shkurtër të meshkujve të martën në mbrëmje. Në faqen zyrtare ai ishte paraqitur si trajner i vetëm katër prej garuesve.

Por ai u kap nga kamerat derisa kishte veshur uniforma të vendeve të ndryshme. Ai është i evidentuar edhe si trajner i Max Naumovit të SHBA-së dhe Stephen Gogolevit të Kanadasë.

Adam Sia Him Ha i Francës dhe Nika Egadze i Gjeorgjisë u paraqitën njëri pas tjetrit dhe Richaud kishte nevojë për një ndërrim të shpejtë të uniformës.

Richaud edhe në gara të tjera mban uniforma të vendeve të ndryshme.

“Është një organizatë. Do të jetë shpejtë. Emocionalisht është shumë e vështirë, varet se si shkon. Le të imagjinojmë se gjithçka është mirë dhe bukur dhe të gjithë rrëshqasin mirë. Nëse njëri paraqitet keq e tjetri mirë, ke këto emocione që është vështirë të shprehen. Kur je me garuesin tënd, je plotësisht me të”, thotë trajneri francez.

Ai ka treguar për sfidat që i ka që në garën e njëjtë të paraqitet me uniformën e disa vendeve.

Popullariteti i tij si trajner nuk është befasi nëse shikohet bilanci i deritashëm. Si garues ishte kampion i Francës për të rinj. Si trajner ka suksese të mëdha. Nga pesë patinatorë në finalen e së dielës, dy trajnohen nga Richaud. Dhe kjo është dëshmi se sa vlerësohet ai në këtë sport.

Të gjithë sportistët përfaqësojnë vendet e tyre në Lojërat Olimpike. Por ata kryesisht bëjnë stërvitje individuale. Fakti që 16 olimpistët e tij përfaqësojnë 13 vende të ndryshme, tregon se Richaud përfiton nga kjo qasje. Rregullat u lejojnë trajnerëve të punojnë me sportistë nga vende të ndryshme, edhe kur garojnë kundër njëri-tjetrit.