Tek ekipi kampion i Kosovës në futbollin e sallës, Prishtina 01, besojnë se është i mundur kalimi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Po kalimi në çerekfinale të Championsit sipas trajnerit të Prishtina 01, Haki Ahmeti, arrihet vetëm me një paraqitje të madhe të lojtarëve të tij ndaj skuadrës nga letonia, Riga Futsal Club.
Ndeshja ndërmjet ekipit Riga Futsal Club dhe Prishtina 01, zhvillohet të premten nga ora 18:30. Dueli i kthimit luhet në Riga të Letonisë.
Ndeshja e parë e 1/8 së finales së Championsit në futsall e zhvilluar më 24 nëntor në Prishtinë, përfundoi baras 3:3.
“Me paraqitjen që kishim në Prishtinë kundër Rigës, është i mundur kalimi në çerekfinale. Besoj në lojtarët e mi, pavarësisht se do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë, ne kemi lojtarë mjaftë të fortë si nga karakteri ashtu edhe cilësi”, ka thënë Ahmeti për KOHËN të enjten.
Prishtina 01 do të paraqitet pa njërin nga lojtarët më të mirë, Drilon Maxharrajn. Por pavarësisht mungesës së Maxharrajt, Ahmeti ka shpresë për kalim tutje.
Dy golat e parë për Prishtinën 01 në ndeshjen në Prishtinë i shënoi Drilon Maxharraj, ndërsa golin e tretë e realizoi Ramadan Alaj.
“Mungesa e madhe e Drilon Maxharrajt do të jetë për arsye të kartonëve. Por besoj që lojtarët që i kemi në dispozicion do ta japin maksimumin për të arritur qëllimin tonë. Kurse ende nuk e dimë a do të paraqitet apo jo portieri Bajram Ramadani, i cili shkaku lëndimit në lojën e parë në Prishtinë u detyrua të largohet para kohe. Koncentrimi duhet të jetë fokus kryesor, pozicionimi sidomos nga ndërprerjet. Jemi përgatitur tërë javën në këto pika ku edhe kemi gabuar gjatë ndeshjes së parë. Dhe në fund, shpresoj të dalim nga fusha me fitore të madhe”, ka thënë Ahmeti.
Nëse “bardhekaltrit” e kalojnë kundërshtarin letonez, në çerekfinale do të luanin me fituesin e ndeshjes Hit Kyiv të Ukrainës dhe Palma Futsal të Spanjës. Palma Futsal është fituese në fuqi e Championsit.
Çerekfinalja luhet me dy ndeshje, vajtje-ardhje. Ndeshjet luhen më 23 shkurt dhe 6 mars.
Prishtina 01 në fazën nokaut të Championsit në futsall u kualifikua nga vendi i tretë i Grupit 4 të “Main Round”.
Ndeshjen e parë e humbi 19:1 nga Sportingu i Lisbonës, dy herë fitues i Ligës së Kampionëve. Më pas në ndeshjen direkte për vend të tretë e mposhti nikoqiren dhe skuadrën kroate, Novo Vrijeme, me rezultatin 7:6. Humbje tjetër pësoi 4:1 nga Kairat Almaty.
Turneu final do të organizohet në Pesaro të Italisë, nga 8 deri më 10 maj.