Hendbollistet e Kosovës u mposhtën thellë nga Franca e Kroacia në tetor të vitit të kaluar.
As që është pritur më shumë në ato ndeshje. Që prej fillimit të kampanjës në fazën e dytë kualifikuese për Euro 2026, është ditur që shansi i Kosovës do të jetë në ndeshjet me Finlandën. Në short, Kosova ishte në vazon e tretë e Finlanda në të katërtën. Kjo lë të kuptohet se Kosova ka gjasa të mira ndaj Finlandës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor Kosova nuk është në momentin më të mirë. Shumë prej lojtareve që kanë udhëhequr ngritjen e përfaqësueses në nivel serioz evropian, nuk po luajnë më për Kosovën. Leonora Demaj, Marigona Hajdari, Arlinda Hajdari, Fitore Aliu, Albina Rugova nuk po luajnë më. Mirela Gjikokaj vazhdon të luajë, por jo për Kosovën.
Kështu është krijuar hapësirë për lojtare të reja, ndërsa lojtaret me përvojë kanë mbetur pak te Kosova. Dhe procesi i ndërrimit të gjeneratës ka çmim sa i takon cilësisë.
Rrjedhimisht fitorja ndaj Finlandës do të ishte sukses i madh për Kosovën. Ndeshja e parë me Finlandën është të enjten prej orës 17:30 në Vantaa të Finlandës. Ndeshja e dytë është të dielën, më 8 mars, nga ora 17:15 në Prishtinë.
Mirjeta Bytyqi është kapitene e Kosovës. Ajo ka përvojë në Slloveni e në vitet e fundit edhe në Zvicër. Shquhet për përkushtimin dhe kontributin e madh në mbrojtje dhe në sulm.
Bytyqi është e matur në parashikime, ndërsa ka folur për rëndësinë e takimeve me finlandezet.
“Na presin dy ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme kundër Finlandës dhe jemi plotësisht të vetëdijshme për rëndësinë e tyre. Një fitore do të na jepte një mundësi shtesë dhe do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, prandaj e dimë sa shumë vlen çdo moment në fushë”, ka thënë Bytyqi. Ajo ndien se lojtaret e reja kanë motivin e duhur.
Megjithatë, në kualifikime përvoja ka rëndësi të madhe.
“Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë. Edhe pse përbërja e skuadrës ka pësuar ndryshime të konsiderueshme, lojtaret e reja janë jashtëzakonisht të motivuara për t’u dëshmuar dhe punojnë me përkushtim maksimal. Energjia dhe uniteti që po ndërtojmë dita-ditës na japin vetëbesim shtesë”, ka shtuar majtakja Bytyqi.
Më 9 prill, Kosova e pret Francën, ndërsa më 12 prill mbyll kualifikimet ndaj Kroacisë në Zagreb.
Gjasat për pikë në ato ndeshje janë fare të vogla. Rrjedhimisht ndeshjet me Finlandën janë rasti i madh për lojtaret e përzgjedhësit Agron Shabani.
Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira te vendit të tretë prej gjashtë grupeve sa janë gjithsej. Përmes vendit të tretë Kosova e kërkon rastin, ndonëse gjasat nuk janë të mëdha.