Hendbollistët e grupmoshës U19 të Kosovës nuk kanë arritur fitore as në ndeshjen e dytë të Grupit B të Kampionatit Botëror. “Dardanët” e rinj nuk arritën të shfaqin shumë, dhe u mposhtën edhe nga favoritja e grupit, Hungaria. Të premten në palestrën “Dr. Hassan Moustafa” në Giza, në afërsi të Kajros, Kosova U19 u mposht nga Hungaria me rezultatin 37:28.
Kosova pati disa momente të mira, por jo të mjaftueshme për ta shmangur disfatën. Duelin e radhës e luan ndaj Marokut të shtunën.
Pjesa e parë u mbyll 22:14 në të mirë të hungarezëve.
Olsi Mulaj ishte më i miri i këtij ballafaqimi, pas tetë golave të shënuar në 11 tentime. Me nga katër gola ndeshjen e mbyllën Suad Pajaziti, Drijon Istrefi dhe Amar Muqolli. Ndërkohë, portieri Olt Kabashi pati disa pritje të mira.
“Na mungoi disiplina në lojë, por paraqitja e gjithë hendbollistëve ishte në nivel. E kam vetëm këtë vërejtje, nuk e kemi pasur disiplinën në lojë. Disiplina në lojë është dëgjimi i bankës, pasi ne flasim nga banka dhe e shohim ndeshjen. Ne ndeshjen e kemi humbur vetë edhe pse patëm paraqitje mjaftë të mirë dhe solide. Po të luanim ndaj Zvicrës me këtë lojë që e kemi zhvilluar sot, mendoj se do të ishte rezultati pozitiv sa i përket anës tonë”, ka thënë pas ndeshjes për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Fatmir Muhaxheri, kryetrajner i Kosovës U19.
Kosova U19, që në ndeshjen e parë u mposht nga Zvicra 35:25, pati fazë të suksesshme përgatitore për Botërorin që po mbahet në Egjipt, duke i fituar të tria miqësoret e zhvilluara në Slloveni ndaj Kuvajtit.
Kjo është gjenerata e tretë e Kosovës që siguron paraqitjen në Kampionat Botëror. Paraqitjen në Egjipt, Kosova U19 e siguroi nëpërmjet “IHF Trophyt”, rrugës së dytë dhe më të shkurtër. “IHF Trophy” është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por, ofron edhe biletën për Botëror.
Në vitin 2019, hendbollistët e Kosovës U21 u paraqitën në Botërorin e mbajtur në Spanjë, ndërsa vitin e kaluar, hendbollistet e Kosovës U18 luajtën në Botërorin e mbajtur në Kinë.